Secondary Adv

Probleme në furnizim, Kosova sërish probleme me energjinë elektrike

Sistemi energjetik në Kosovë po përballet me jobalanca të mëdha mes kërkesës dhe furnizimit me energji elektrike.

Edhe sot, Kosova është zgjuar nën zhurmën e gjeneratorëve, ndërsa për të dytën herë brenda pak ditësh sistemi energjetik i vendit është futur në kaos. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë ka bërë të ditur se vendi po përballet me probleme serioze në furnizimin me energji elektrike, për shkak të devijimeve të mëdha mes energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.

 

Sipas njoftimit zyrtar, vështirësitë lidhen me balancimin e sistemit energjetik, pasi energjia e nominuar, që përfaqëson parashikimin e Operatori për Furnizim me Energji Elektrike për nevojat e konsumatorëve, ka qenë ndjeshëm më e ulët se konsumi real. KOSTT bën të ditur se KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa kërkesa reale, duke krijuar jobalanca mesatare prej rreth 211 megavat-orë, ndërsa në disa orë këto devijime kanë tejkaluar 260 megavat-orë, situatë e cila sipas operatorit cenon drejtpërdrejt stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.

 

Thirrje për korrigjim dhe kufizime të ngarkesës

KOSTT ka kërkuar që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe ka bërë thirrje për korrigjim të menjëhershëm, në mënyrë që të ruhet siguria e sistemit energjetik. Në këto kushte, operatori ka njoftuar se është detyruar të kërkojë aplikimin e kufizimeve të ngarkesës si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes.

 

Nga ana tjetër, KESCO ka informuar konsumatorët dhe opinionin publik se sistemi aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore. Sipas kompanisë, temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë sjellë një rritje të ndjeshme të konsumit, ndërkohë që prodhimi vendor mbetet i ulët.

 

Importet e kufizuara dhe thirrjet për kursim

KESCO thekson se në periudha të tilla rritet nevoja për import të energjisë elektrike, por mundësitë për sigurimin e saj janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment. Kompania bën të ditur se është vazhdimisht e angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive për sigurimin e energjisë, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra, por pranon se në situata me kërkesë shumë të lartë mbulimi i plotë i nevojave paraqet vështirësi të mëdha.

 

Në këtë kontekst, KESCO ka bërë thirrje për kursimin e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë të domosdoshëm si nga aspekti operativ, ashtu edhe nga ai teknik, ndërsa ka garantuar se mbetet e përkushtuar për përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe për ruajtjen e stabilitetit të sistemit.

 

Reagime dhe sfondi energjetik

Situata ka nxitur reagime edhe nga njohës dhe analistë. Ilir Deda ka kërkuar që KOSTT të publikojë orare të qarta të reduktimeve, duke thënë se qytetarët kanë nevojë të dinë se sa orë do të ketë dhe sa nuk do të ketë energji elektrike. Ndërkohë, Shenoll Muharremi ka lidhur krizën energjetike me performancën e qeverisë, duke e cilësuar situatën si pasqyrim të keqmenaxhimit dhe duke theksuar ndikimin negativ në ekonomi dhe biznese.

 

Kosova është përballur edhe më herët me mungesa të energjisë elektrike, rasti më i fundit në dhjetor 2025, kur autoritetet bënë thirrje për kursim gjatë orëve të pikut. Vendi prodhon pjesën më të madhe të energjisë përmes dy termocentraleve të vjetra Kosova A dhe Kosova B, të cilat sigurojnë rreth 94 për qind të prodhimit, ose afërsisht 800 megavat-orë, ndërsa pjesa tjetër vjen nga burime të rinovueshme.

 

Qeveria në detyrë ka deklaruar se gjatë vitit 2025 janë ndarë miliona euro për rehabilitimin e termocentraleve. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në periudhën janar-nëntor 2025 vendi ka importuar energji elektrike në vlerë rreth 248 milionë euro dhe ka eksportuar rreth 48 milionë euro, me importet kryesore nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat